Ministria e Jashtme mohon akuzat e Presidentit Meta dhe të opozitës për mungesë informimi të qytetarëve mbi kushtet e lëvizjes drejt shtetit grek.
E kontaktuar nga A2, Ministria sqaroi se reagimi i institucioneve shqiptare ka qenë i koordinuar duke nisur me një komunikim të Policisë së Shtetit që të nesërmen e njoftimit nga pala greke.
“Menjëherë pas njoftimit nga pala greke, institucionet shqiptare janë koordinuar për informimin e qytetarëve. Policia e Shtetit ka shpërndarë një komunikim mbi oraret e lëvizjes në pikat e kalimit kufitar me Greqinë në 6 gusht. Ministria për Europën dhe Punët ka rikujtuar qytetarët për këto rregulla më 12 gusht”.
Nga ana tjetër opozita ashpërsoi akuzat ndaj qeverisë. Njësoj si PD, edhe LSI kërkoi hetim nga Prokuroria e Posaçme të kryeministrit dhe njëherësh ministrit të Jashtëm, Edi Rama për mos informimin e qytetarëve.
Të hënën presidenti Meta akuzoi qeverinë se nuk mori asnjë masë për informimin në kohë të shqiptarëve që donin të udhëtonin drejt Greqisë çka rezultoi sipas tij me krizën humanitare të Kakavijës.
Sipas tij, ambasada shqiptare në Athinë e kishte njoftuar qeverinë që në datën 4 gusht për vendimet e shtetit helen për kalimin në pikat e saj kufitare. (A2 Televizion)