Kina ka ndërruar dy liderët e një njësie elitare që menaxhon arsenalin bërthamor. Kjo ka shkaktuar spekulime për një fushatë spastrimi. Gjenerali Li Yuchao, që drejtonte njësinë e Forcës Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe zëvendësi i tij ishin zhdukur prej muajsh.
Ata janë zëvendësuar nga njerëz të besuar të presidentit Xi Jinping, si ish-zëvendëskreu i marinës detare, Wang Houbin, dhe anëtari i komitetit qëndror të Partisë Komuniste, Xu Xisheng. Kjo po konsiderohet si lëvizja më e madhe e paplanifikuar në lidershipin e ushtrisë së Kinës në thuajse një dekadë.
Ekspertë të fushës thonë për median prestigjioze, BBC, se spastrimi është shumë domethënës pasi vendi komunist dukshëm po bën ndryshime thelbësore në strategjinë e tij bërthamore. Sipas njohësit të çështjeve politike dhe ushtarake, Lyle Morris, kjo po bëhet në mënyrë që presidenti Xi Jinping të konsolidojë kontrollin mbi forcën e sigurisë dhe që të luftojë korrupsionin brenda ushtrisë, që vlerësohet të ketë arritur në rangje tepër të larta.
Gjatë një mbledhjeje muajin e kaluar, lideri kinez shprehu dëshirën për riorganizimin e partisë komuniste në të gjitha nivelet, në mënyrë që të mbahet kontrolli absolut mbi ushtrinë e vendit.
Qeveria e Pekinit nuk ka bërë të ditur se ku ndodhen dy ish-ushtarakët e lartë që kishin në dorë arsenalin bërthamor të Kinës, por vetëm është lajmëruar se ndaj tyre është hapur një hetim për korrupsion. Më herët u largua nga detyra edhe ministri i Jashtëm. (A2 Televizion)