"Spiunët" e tatimeve, mijëra denoncime me Whatsapp dhe telefonata, shumë pak ndëshkime

Nga A2 CNN
15 Mars 2023, 14:24 | Ekonomi

Janë 1 mijë e 342 denoncimet dhe ankesat që u paraqitën nga shqiptarët në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve vitin e shkuar. Përmes Whatsappit me mesazhe të shkruara, me anë të thirrjeve telefonike apo me email, kanalet e zgjedhura nga qytetarët ishin të ndryshme, ku nuk munguan shkresat zyrtare apo takimet fizike.

Por frika dhe dëshira për ruajtjen e anonimitetit, bënë që pjesa më e madhe ankimeve të vinin nga portali Stop Informalitet me 640 raste, ndërsa 64 indicie erdhën nga portali i bashkëqeverisjes. (grafik 1)

 “Nga cilado pikëpamje që ta shikojmë është diçka që nëse përfshin publikun, blerësit apo njerëz të interesuar për mbarëvajtje të biznesit është gjithmonë mirë”, thotë për A2 CNN Flobens Dilaveri, ish-zëvendësdrejtor në DPT.

Shkeljet e konstatuara nga qytetarët varionin nga mosdeklarimi i punonjësve dhe nënraportimi i pagave, te mos-lëshimi i kuponit tatimor apo kontrabanda.

Mirëpo interesit të shtuar të qytetarëve për të denoncuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përgjigj me vetëm 54 masa ndëshkuese, 16 prej të cilave çuan në bllokim aktiviteti. Penalitete pati për mos-deklarim punonjësish me 11 raste, shmangie fiskalizimi, mos-mbajtje dokumentacioni apo mos lëshim fature apo edhe mos-përditësim adrese e të dhënash.

 “Për mua arsyeja kryesore është inflacioni i denoncimeve ose fakti që qytetarët merren me ankesa shumë të vogla si mos lëshim kuponi që fund nuk kanë ndonjë peshë të madhe te mbarëvajtja që administrata tatimore duhet të bëjë”, shton Dilaveri.

Në përpjekje për të luftuar informalitetin, prej vitit 2015 kryeministri së bashku me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë kërkuar nga qytetarët që të denoncojnë. Nga thirrjet për mospagimin e mallit pa kupon tatimor, te denoncimi gjatë pandemisë për punonjësit në të zezë, e deri tek aksioni i fundit në fushën e pagave, reagimi ka qenë minimal. Me gjithë thirrjet e njëpasnjëshme, shpesh edhe në formë fushatash, nisma po jep pak rezultat dhe kjo vërtetohet edhe nga numri i ulët i penaliteve.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi