Euro ka humbur të gjitha pikët që rifitoi ndaj lekut gjatë fillimit të vitit, duke marshuar në rënie të vazhdueshme që prej datës 1 Shkurt. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro këmbehet me 113.97 lekë, teksa vetëm 2 javë më parë ishte në kuotën e 115.1 lekëve.
Më shumë se sa një dobësim të euros, arsyet e këtyre luhatjeve në treg lidhen me forcimin e lekut, që është reflektuar edhe ndaj valutave të tjera kryesore si dollari amerikan dhe paundi britanik.
Oferta, apo prania e lartë e valutës së huaj në treg, kombinuar me mungesën e importeve të energjisë elektrike, kanë forcuar pozitat e lekut.

Megjithatë, një zhvlerësim i tillë po krijon më shumë probleme se sa përfitime, duke nisur nga tkurrja e kursimeve të individëve dhe bizneseve, si dhe rënia e fuqisë blerëse me dërgesat e emigrantëve, për shkak se shpenzimet kryesore janë në lekë. Po ashtu edhe kompanitë eksportuese, që po përballen me rritjen kostosh dhe presionin e brendshëm për rritje pagash, po i shohin marzhet e tyre të fitimit të pakësohen.
Nga ana tjetër, kushdo që ka një kredi në euro dhe të ardhurat në lekë, si familjet me kredi për shtëpi, por edhe vetë shteti, po kompensojnë rritjen e interesave me këtë dobësim të valutës.
Në këto kushte, me rinisjen e fluksit të turizmit, pritet që euro t’i drejtohet një tjetër rënieje, ndoshta edhe nën rekordin historik prej 112.8 lekësh, që preku në fund të Dhjetorit. (A2 Televizion)