Sa blejnë online shqiptarët? Ekspertët: Problemet fillojnë nga bankat, por informaliteti ka deformuar tregun  

Nga A2 CNN
10 Mars 2023, 23:00 | Ekonomi
Sa blejnë online shqiptarët? Ekspertët: Problemet fillojnë

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se numri i kartave bankare në posedim të qytetarëve dhe biznesit ka ardhur në rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Në vitin 2022, numri i kartave arriti në mbi 1.3 milionë. Sipas të dhënave të shoqatës e-commerce, në vitin 2008 bëheshin 2 mijë porosi në ditë për blerje online; ndërkohë që numri ka arritur aktualisht në 28 mijë porosi në ditë. Sa i përdorin shqiptarët blerjet online?

Sipas ekspertit për tregtinë online Tomi Kallanxhi, “problemet fillojnë që nga bankat në Shqipëri, ka disa prej tyre që mbajnë komisione për blerje, në qoftë se blen me kartë diku. Në momentin që do të digjitalizosh një shoqëri duhet  të kesh disa lehtësira, mos flasim pastaj për limitet e ulta”.

Sipas ekonomistit Artan Gjergji, nuk është vetëm çështje komisionesh. “E-commerce në Shqipëri është i brishtë. Edhe në Europë dhe SHBA paguhet 2%, por ndryshe na vret ne, ndryshe një biznes në një vend perëndimor. Në Shqipëri, informaliteti ka deformuar tregun, sepse një subjekt që nuk paguan asgjë, nuk ka përgjegjësi ndaj askujt  sepse mjafton të hapësh një faqe në rrjetet sociale, bën që të humbasë besimi i konsumatorit në tregtinë online. Ka biznese serioze, që janë të parët që nuk duan këto deformime, pra konsumatori do të paguhet në kesh që mos të mashtrohet. Sipas një përllogaritje ka rreth 200 mijë accounte në rrjetet sociale që merren me e-commerce dhe janë më së shumti të paregjistruar”, thotë Gjergji në “A2 Business”.

Thënë kjo, siç nënvizon konsulenti Bujar Bendo, “Ligji ka vënë disa limite skandaloze, me një prag shumë të ulët dhe me një doganë tepër të lartë”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/10/nga-pagesa-cash-te-siguria-e-te-dhenave-problemet-e-digjitalizimit-te-ekonomise-shqiptare/

A2 CNN Livestream

Latest Videos