Numri i ulët i grave sipërmarrëse, ekspertët: Kanë mungesë vetëbesimi, meshkujt hyjnë më shpejt në treg

Nga A2 CNN
8 Mars 2023, 22:42 | Ekonomi
Numri i ulët i grave sipërmarrëse, ekspertët: Kanë

Numri i grave në biznes ka pësuar rënie në vendin tonë, ku sipas statistikave vetëm 25.5% e totalit të bizneseve drejtohen nga gratë. Ndërkohë që përqindja e grave pronare apo administratore është më e lartë tek ndërmarrjet e vogla, me 1 deri në 4 të punësuar.

Sipas Arlinda Mujës, kryetare e Shoqatës së Mikrofinancës, ”edhe kur janë sipërmarrëse vetë, ata kërkojnë në krah një burrë për t’i mbështetur, dhe kjo më tregon një mungesë konfidence për të ndërtuar diçka vetëm”.  

Ekspertja radhit disa problematika. “Aksesi në financë, sigurisht, përqasja në dyert e institucioneve shtetërore ose të tjera që mund të mbështesin këto biznese është ndryshe. Nuk ndodh thjesht sepse janë femra, por për mungesë vetëbesimi nuk arrijnë ta çojnë luftën e tyre deri në fund, është një proces që kërkon kohë”.

Jetona Myteveli, eksperte për UN Women ka një qasje disi të ndryshme. “Gratë deri në 35 vjeç i dedikohen familjes ose rolit që pritet prej saj, dhe pas asaj moshe janë të gatshme t’i  hyjnë biznesit. Ndërkohë, meshkujt stërviten që në universitet dhe hyjnë më shpejt në treg për shkak të agresivitetit dhe ambicies, pa mohuar se aleanca mashkullore është shumë mbështetëse, ndërkohë që ne nuk kemi një rrjet grash që të mbështesë njëra tjetrën me know-how, shumë herë gratë sipërmarrëse në Shqipëri konsiderohen shumë agresive”.

Eksperti për çështjen e punësimit Erald Pashaj pohon se ” të jesh grua dhe të bësh biznes në Shqipëri dhe në Ballkan, duhet të jesh më agresiv, duhet të përballesh jo vetëm me shtetin, por edhe me furnitorin, me vetë stafin. Kjo do forcë, dhe në fakt të gjithë sipërmarrëset shqiptare mbahen për gra të forta, burrnesha”.

Pashaj duket skeptik edhe për shifrat e ulta të statistikave. “Mua më duket shumë edhe statistika nga QKR-ja që 25% të bizneseve i përkasin grave, sipas meje janë shumë më pak”, thotë për “A2 Business”.

https://a2news.com/2023/03/08/grate-ne-tregun-e-punes-dhe-hendeku-mes-burrave-shkaqet-dhe-cfare-duhet-bere/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli