Bie inflacioni i përgjithshëm, por ushqimet vijuan shtrenjtimin në shkurt

Nga A2 CNN
8 Mars 2023, 12:47 | Ekonomi

Rritja e përgjithshme e çmimeve u ngadalësua për të katërtin muaj me radhë në shkurt, por e kundërta ndodhi te ushqimet. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar norma e inflacionit ra në 7.1 për qind nga 7.2 për qind që ishte në janar, por duke mbetur 2-fish më e lartës e në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Ndërkohë inflacioni te produktet bazë të konsumit, ku përfshihen edhe pijet joalkoolike arrti muajin e lënë pas në 13.5 për qind, në rritje në raport me janarit duke mbetur në nivelet më të larta historike.


“Është e paevitueshme tashmë që të kemi presione inflacioniste te mallrat e konsumit”, thotë për A2 CNN Eugen Musta, ekspert për ekonominë.

Me gjithë inflacionin, ndjeshëm mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind, ekspertët vlerësojnë se shenjat janë për frenim edhe të rritjes së normës bazë të interesit për lekun. “Ne presim që normalisht normat e interesit të ndikuara nga politikat e Bankës Qendrore të relaksohen. Shpresojmë që brenda 2-3 viteve të ardhme të kthehemi në nivelet e para luftës në Ukrainë, thotë Musta.

Ky do të ishte një lajm i mirë për ata që mendojnë të marrin kredi apo kanë ende këste për të paguar, por jo dhe aq për investitorët në titujt qeveritarë. “Vitin e shkuar, investimi në bono thesari ose obligacione ishte një mundësi e mirë. Tani shohim që normat e interesit për këto kategori kanë rënë duke mos tërhequr shumë vëmendje”, thotë Musta.

Ulja e lehtë e karburanteve në vend ka ndikuar edhe te inflacioni te transporti gjatë shkurtit, tregues që ka rënë në nivelin 1.7 për qind nga 6.5 në janar apo 10.4 në po të njëjtin muaj të një viti më parë.

Sipas INSTAT, e kundërta ka ndodhur te qiratë, ku inflacioni në shkurt është rritur lehtë në raport me janarit, duke paralajmëruar për shtrenjtim të mëtejshëm.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024