Gratë në tregun e punës, emigracioni po ngushton diferencën gjinore në paga

Nga A2 CNN
8 Mars 2023, 16:31 | Ekonomi

Fenomeni i emigracionit duket se krahas efekteve negative ka shërbyer për reduktimin e hendekut gjinor të pagave në Shqipëri. Në bazë të statistikave nga INSTAT, një gruar merr mesatarisht një pagë 4.5% më të ulët se një burrë për të njëjtën punë, ndërkohë që në Bashkimin Europian diferenca është 12.7%.

Ekspertja e punësimit, Eranda Ymerali shprehet se gjatë 10-vjeçarit të fundit kemi pasur një rënie të pabarazisë gjinore të pagave. Arsyet që na çojnë në një përmirësim të situatës ajo i lidh me integrimin më lartë të gruas në tregun e punës, por thekson se një nga faktorët kyç është rritja e emigracionit, veçanërisht nga meshkujt.

“Me statistikat që kemi është gjinia mashkullore që emigron për të siguruar mjaftueshëm para për t’ia sjellë familjes. Përderisa do të kemi më shumë meshkuj të larguar dhe më shumë gra të punësuara sesa meshkuj, nuk mund të kemi të dhënë të saktë mbi këtë hendek,” thotë ekspertja e punësimit Eranda Ymerali.

Të dhënat nga Eurostat mbështesin argumentin e Ymeralit. Vende si Shqipëria, Rumania, Sllovenia dhe Polonia, ku fenomeni i emigrimit është i lartë, mbajnë norma nën 5% në hendekun e pagave.

Ymerali ndërkohë tregohet optimiste për 10-vjeçarin e ardhshëm. Diferencat e pagave aktualisht janë më të theksuara në rreth, larg qendrës ekonomike të vendit, dhe në vitet e ardhshme parashikohet zbehja e këtij fenomeni.

“Në zonat rurale janë më të dukshme këto diferencime në gjini, pagesa e punësim. Preferohet mashkull më shumë se një femër, e cila shikohet si njeriu që duhet të rrijë brenda familjes. Këtu është ajo lufta e madhe që duhet bërë”, thotë Ymerali.

Numri i ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë ka pësuar gjithashtu rritje. Në 2021, bizneset e drejtuara nga gratë përbënin 31% të ndërmarrjeve gjithsej, rreth 6% më shumë se një vit më parë.

Për nga shpërndarja gjeografike, në qytete si Tirana, Kamza dhe Saranda gratë përbëjnë 1/3 e sipërmarrësve, ndërkohë që raporti më i lartë është në Delvinë, Kuçovë dhe Kolonjë.  Nga ana tjetër, Klosi, Kukësi dhe Peqini kanë raportin më të ulët të bizneseve që drejtohen nga gratë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024