Hendeku i madh i punësimit mes burrave dhe grave ne vendin tonë ndodh së pari për shkak të mentalitetit, sidomos në zonat rurale dhe të thella. Këtë mendim ndanë në A2 Business ekspertët e punësimit Erald Pashai dhe Jetona Myteveli, ndërsa për ministren e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, Edona Bilali qeveria ka ndërmarrë disa iniciativa që favorizojnë gratë.
“Kemi një hendek mes burrave dhe grave që janë më të punësuar burrat se gratë. Kemi papunësi të madhe te gratë është për të ardhur keq edhe vendet e rajonit kanë të njëjta problematika dhe kryesore është mentalitetit. Në qytetet Tiranë dhe Durrës nuk e kemi këtë problematikë, trajtimi në Ultësirën Perëndimore e Tiranë është i pranueshëm kur shkojmë në qytete të dorës së dytë dhe zona të thella kemi probleme më të mëdha. Ajo që dominon më shumë është mentaliteti. Që është mbytës në zonat rurale”.
Pashai sugjeron pjesëmarrjen e më shumë grave në poste drejtuese, të cilat duhet të jenë frymëzim dhe shembull për të tjerat.
“Të kishim gjithnjë më shumë gra e vajza në poste drejtuese kudo. Ne kemi gra në qeveri por nuk kemi gra me peshë, sepse këto duhet të jenë frymëzim për gra të tjera. Duke qenë ato drejtuese të mira frymëzon të gjithë shtresën e shoqërisë. Ne duhet të bëjmë që në bordet drejtuese shefe të jenë femra. Pjesa tjetër e Shqipërisë ka më shumë nevojë për shembujt e mirë frymëzues femrash. Nëse do të kishim drejtuese femra, do të frymëzonim gra dhe vajza dhe brenda një dekade kjo do të ndikonte pozitivisht”.
Jetona Myteveli thekson se përgjatë 7 viteve është rritur pjesëmarrja e grave në sipërmarrje, por problem mbeten njohuritë dhe aksesi në financë.
“Gra të prekura nga tërmeti e korona kanë nisur biznes me artizanatin dhe kanë filluar shitjet online. Kamza është një model dhe përfaqëson një mini Shqipëri dhe artizanati aty sjell panairin e gjithë Shqipërisë. Vitin e kaluar qeveria ka pasur një grant për mbështetjen e sipërmarrjeve të reja. Janë trajnuar 300 persona, 60% e tyre gra. Kur kemi nisur nismën në 2016 e kishim të vështirë të siguronim 20% gra. Iniciativa e qeverisë për herë të parë vitin e kaluar shtron një rrugë të re sistemi i financimit është mbështetur nga programet në zhvillim. Aksesi në Financë dhe njohuritë mbeten problem. Gratë shqiptare kanë shumë frikë se mos dështojnë”.
Kryetarja e shoqatës së Mikrofinancës Arlinda Muja thekson se në sektorin privat dhe sektorin e bankave dominojnë femrat, ndërsa e vë theksin te cilësia dhe jo te përqindja e tyre, në suksesin e një biznesi.
“Përqindja e grave në sektorë të ndryshëm kemi luhatje të ndryshme në sektorin privat e sektorin e bankave dominojnë femrat dhe kjo ndodh për shkak të edukimit dhe përzgjedhjes e strategjisë që kanë bankat e institucionet financiare. Ne financojmë 40% të bizneseve që drejtohen nga femrat dhe ka tentativë për ta rritur. Një biznes që të jetë i suksesshëm duhet cilësia dhe jo përqindja. Femra tregon që është më e përkushtuar në punë”.
Në përgjigje të gjithë këtyre deklaratave ministrja për mbrojtjen e sipërmarrjes Edona Bilali tha se qeveria ka ndërmarrë disa iniciativa që kanë në fokus diskriminimin pozitiv ndaj grave, ose ndryshe favorizimin e tyre.
‘Në 2002 një grua në SHBA paguhej sa 80% e pagës që merrte një burrë. Pas 20 vitesh kemi kaluar nga 80%-82 %. 20 vite kanë kontribuar për 2%. Sfida nuk është vetëm e Shqipërisë, por është globale. Roli i qeverisë është në ofrimin e shanseve të barabarta. Në qeveri prezenca e grave është tepër e lartë. Edhe përfaqësimi në parlament është 35.7%. Edhe në administratë peshorja anon nga gratë. Kurse në sektorin privat qeveria incentivon dhe krijon politika që favorizojnë barazinë gjinore. Ka pikë shtesë nëse je pronare grua apo administratore nëse merr kredi sovrane. Nënat që po rrisin 3 ose më shumë fëmijë u njihet kohë pune dhe u paguhen sigurimet. Fryma e evolucionit që kemi arritur ne në qeveri është në përputhje me modelin e aftësive dhe jo thjesht të plotësimit të kuotave. Hendeku gjinor është zvogëluar dhe kjo është një çështje në evolucion”. (A2 Televizion)