Daliç i “djeg” barazimi me Shqipërinë: Nuk e prisja kaq të vështirë

Nga A2 CNN
19 Qershor 2024, 21:14 | Live Euro 2024

Daliç i “djeg” barazimi me Shqipërinë: Nuk e prisja

Në reagimin e parë pas ndeshjes me Shqipërinë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2, trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic deklaroi për mediat vendase se nuk e priste kaq të vështirë ndeshjen ndaj kuqezinjve.

Trajneri kroat u shpreh se ekipi i tij u shfaq me dy fytyra gjatë këtij takimi, me një pjesë të parë për t’u harruar, ndërsa pjesën e dytë tregoi vendosmëri.

“Ishin dy pjesë të ndryshme. E para ishte e keqe, pësuam gol dhe nuk mund të bënim asgjë sepse ishim të ngadaltë, kundërshtari ishte i motivuar dhe pas topit. Bëmë shumë gabime, humbëm shumë topa. Në pjesën e dytë u shfaqëm më mirë. Më të vendosur, ne ndryshuam me të vërtetë për të arritur në avantazhin 2-1, por në shtesë na barazuan. Gjëja më e rëndësishme është se ne jemi ende gjallë dhe ndeshja e fundit vendos gjithçka”-tha Dalic.

Më tej, tekniku i Kroacisë theksoi se nuk e prisnin që grupi të rezultonte kaq i vështirë për ta.

“Kampionati Europian është një histori ndryshe nga Kupa e Botës. Nuk e prisnim të ishte kaq e vështirë, ne jemi duke luftuar dhe ndoshta kjo është pikërisht arsyeja. Është një turne shumë konkurrues dhe i balancuar”, shtoi ai.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024