Ambicia e trajnerit kuqezi, pas Europianit, Sylvinho shënjestron Kupën e Botës

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2023, 12:25 | Futboll

Ambicia e trajnerit kuqezi, pas Europianit, Sylvinho shënjestron Kupën

Kualifikimi në Euro 2024 ishte vetëm fillimi i jashtëzakonshëm i një aventure të suksesshme. Sylvinho beson se ka ende shumë punë për të bërë në Kombëtare, madje nuk i fsheh ambiciet. Sipas trajnerit, objektivi i radhës është kualifikimi i Shqipërisë në Kupën e Botës 2026.

“Në vërshëllimën e fundit kundër Moldavisë, shpërtheva. Nxora gjithë ankthin dhe gëzimin e 10 muajve punë. Kam vrapuar për të festuar me njerëzit pjesëmarrjen në Europian. Shqipërisë nuk duhet t’i mjaftojë vetëm kualifikimi. Nuk duhet të shkojë në Euro 2024 dhe pastaj të zhduket. Dua të krijoj një mentalitet që në çdo Europian dhe Botëror, Shqipëria të kualifikohet. Ky është objektivi im pas eventit në Gjermani. Dua ta dërgoj Shqipërinë në Botërorin e 2026. Ky duhet të jetë vetëm fillimi”, shprehet Sylvinho.

Mes mesazheve të shumta të urimit që ka marrë, tekniku brazilian zbuloi një prej më të veçantëve.

Pas kualifikimit më shkroi Mancini, më bëri komplimente. Më ka trajnuar dhe më pas kam qenë ndihmës i tij tek Interi. Është një trajner fitues, tek Inter, Manchester City dhe përfaqësuesja italiane. Kudo që ka drejtuar e ka ngritur skuadrën në një nivel shumë të lartë”, rrëfehet tekniku.

Kontrata e Sylvinhos me Kombëtaren kuqezi përfundon pas mbylljes së Kampionatit Europian, por me deklaratat e fundit trajneri konfirmoi dëshirën për të qëndruar në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos