
Mijëra kilometra larg Atlantës, aty ku Argjentina siguroi një kualifikim dramatik ndaj Egjiptit, zemra e futbollit rrihte fort edhe në Bangladesh.
Mbi 2.500 tifozë u mblodhën në kampusin e Universitetit për të ndjekur në një ekran gjigant sfidën e vlefshme për fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës, duke krijuar një atmosferë që i ngjante tribunave argjentinase.
Edhe pse Egjipti kryesoi 2-0 për pjesën më të madhe të takimit, besimi i tifozëve nuk u lëkund. Goli i Cristian Romeros në minutën e 79-të riktheu shpresën, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Lionel Messi barazoi rezultatin, duke shkaktuar një shpërthim emocionesh mes mijëra të pranishmëve. Kulmi i festës erdhi në minutat shtesë, kur Enzo Fernandez realizoi golin e përmbysjes dhe vulosi kualifikimin e Argjentinës.
Pas vërshëllimës finale, rrugët e Bangladeshit u mbushën me flamuj bardhekaltër, këngë dhe festime që zgjatën deri në orët e vona. Bangladeshi vazhdon të jetë një nga vendet me mbështetjen më të madhe për futbollin latino-amerikan, veçanërisht për Argjentinën dhe Brazilin.
Me Brazilin tashmë të eliminuar, tifozët e Bangladeshas kanë përqendruar të gjithë mbështetjen te Lionel Messi dhe shokët e tij, me shpresën se kampionët në fuqi do të arrijnë të mbrojnë titullin botëror. (A2 Televizion)