Botërori, Salihi: Meqë Messi e fitoi, këtë herë ta marrë Ronaldo

Nga A2 CNN
12 Qershor 2026, 16:06 | Futboll

Ish-sulmuesi i Shqipërisë, Hamdi Salihi, tha se shpreson që këtë herë, Kupën e Botës ta fitojë Cristiano Ronaldo me Portugalinë.

“Janë të dy personazhe të jashtëzakonshëm. Dhe meqenëse Mesi e fitoi, do të kisha qejf ta fitonte edhe Ronaldo”, tha Salihi në një intervistë në “Jashtë fushe” nga Dea Kozma në A2 CNN.

“Janë personazhe që e kanë ndryshuar futbollin jashtëzakonisht shumë. Edhe kërkesa më e madhe e biletave është për të parë Portugalinë dhe Argjentinën. Vazhdon. Është e njëjta situatë, është e çuditshme! Të dy lojtarët janë larguar prej futbollit europian, prej skenës të madhe europiane, kanë shkuar nëpër kampionate me më pak cilësi ose që ndiqen më pak, por vazhdojnë të jenë dy kryesorët që bëjnë lajmin më të madh”, shtoi Salihi.

Megjithatë, sipas Salihit, teknikisht dhe bazuar mbi lojtarët që kanë, Spanja dhe Franca janë dy favoritet për të fituar. Por Spanja, për të, ka një avantazh më shumë. “Kanë një karakteristikë shumë të veçantë sepse kanë një sistem, nuk bazohen te një lojtar ose te dy tre lojtarë, kanë një sistem loje që edhe në qoftë se komplet ekipi ndërrohet, futen 11 të tjerë, loja vazhdon me të njëjtin sistem, me të njëjtin ritëm edhe mundohen me bë të njëjtën gjë”, shtoi Salihi.

“I jep një avantazh se çdo lojtar që ndërrohet, dëmtohet, zëvendësohet, futet prapë me të njëjtin stil loje, me të njëjtin sistem edhe nuk ndikon te pjesa tjetër e ekipit siç mund të ndikojnë për shembull nëpër ekipe si Franca kur mund të ketë një dëmtim Mbappe ose një lojtar kryesor, që i ndikon shumë në stilin e lojës. Kurse te Spanja janë të gjithë lojtarët me të njëjtat karakteristika, të njëjtën stil loje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos