Empoli i Ardian Ismajlit, Etrit Berishës dhe Stiven Shpendit ka arritur të shpëtojë nga rënia nga kategoria në minutat e fundit të ndeshjes së fundit të Serisë A.
Ekipi i tre shqiptarëve mposhti Romën 2-1, me një gol të Niang në minutën e 93-të, për të mbijetuar në elitën e futbollit italian, ndërkohë që një kategori më poshtë ra Frosinone, që humbi ndeshjen direkte ndaj Udineses.
Në pjesën e parë, Cancellieri kaloi në avantazh Empolin në minutën e 13, por Roma u përgjigj në shtesën e këtij fraksioni, me një gol të Auoar.
Stadiumi "Castellani" shpërtheu në festë në minutat e fundit, pasi M'baye Niang realizoi nga brenda zonës me një goditje rrafsh me tokën, duke bërë që Empoli edhe sezonin tjetër të luajë në Serinë A.
Mbrojtësi i Kombëtares sonë, Ardian Ismajli, luajti 90 minutat e plotë në këtë sfidë, ndërkohë që Berisha dhe Shpendi nuk u aktivizuan nga trajneri Nicola.
(A2 Televizion)