Një tjetër incident racizmi ka tronditur futbollin spanjoll gjatë ndeshjes mes Espanyol dhe Athletic Bilbao të dielën.
Në minutën e 16-të të takimit, gjyqtari Cuadra Fernandez aktivizoi protokollin kundër racizmit, pas raportimit të sulmuesit të Athletic Bilbao, Inaki Williams, i cili tha se kishte dëgjuar ofendime raciste ndaj shokut të tij të skuadrës, Maroan Sannadi.
Për të adresuar situatën, ndeshja u ndërpre për tre minuta, gjatë së cilës u transmetua një mesazh nga spikerja e stadiumit që u kërkoi tifozëve të ndalnin fyerjet raciste. Gjyqtari kërcënoi gjithashtu se ndeshja mund të ndërpritej përfundimisht nëse kishte incidente të tjera të ngjashme.
Inaki Williams, i cili ka qenë viktimë e trajtimit të ngjashëm në të kaluarën, raportoi se ofendimet ishin të drejtuara nga një pjesë e tribunës ku ndodheshin tifozët e Espanyol.
"Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk është hera e parë që ndodh këtu. Gjyqtari reagoi shumë mirë, kjo duhet theksuar dhe fajtorët duhet të ndëshkohen," deklaroi Iñaki Williams, duke bërë thirrje për masa të forta ndaj sjelljeve raciste në stadiume. (A2 Televizion)