Goditet celula e ISIS në Spanjë, do sulmonin autobusin, lojtarët dhe tifozët e Real Madrid

Nga A2 CNN
17 Qershor 2024, 11:53 | Futboll

Goditet celula e ISIS në Spanjë, do sulmonin autobusin, lojtarët

Garda Civile spanjolle ka finalizuar një operacion kundër terrorizmit, duke vënë në pranga 9 persona, në Girona, Cadiz, Almeria dhe Tenerife. Ata kishin lidhje me terrorizmin islamik dhe përbënin kërcënim për futbollin spanjoll.

Sipas "El Confidencial", shërbimet inteligjente të Gardës Civile kanë çmontuar këtë rrjet pasi mësuan se synonte të sulmonte stadiumin “Santiago Bernabeu” dhe ftonte militantët të qëllonin kundër lojtarëve dhe tifozëve të Real Madrid.

Në një poster të publikuar në internet nga anëtarët e grupit mund të shihet një burrë me kapuç duke qëlluar dhe snajperi i tij ka në shënjestër autobusin e Real Madridit.

"Vëllai im i dashur. Prit në një vend afër pikës së mbërritjes së lojtarëve. Qëllo atë dhe fansat e tyre", është mesazhi ogurzi në poster.

Mediat spanjolle raportojnë se në bashkëpunim të ngushtë me Europolin dhe FBI-në amerikane, operacioni i autoriteteve vendase synonte të shënjestronte fondacionin e vetëshpallur I'lam, një nga qendrat kryesore të propagandës së lidhur me Shtetin Islamik (ISIS), me radio stacione, agjenci lajmesh, kompani të prodhimit të videove dhe profilet në rrjetet sociale që përhapin përmbajtje radikale në një mori gjuhësh, përfshirë spanjishten.

Shteti Islamik nuk është i huaj për këtë lloj kërcënimi, pasi në muajin prill krijoi panik duke kërcënuar se do të sulmonte stadiumet ku po luheshin çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024