Grabitësit i vjedhin vilën, dhunohet dhe mbahet peng së bashku me familjen legjenda e Italisë

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 08:23 | Futboll

Grabitësit i vjedhin vilën, dhunohet dhe mbahet peng së bashku me

Ish-fituesi i Topit të Artë, Roberto Baggio dhe familja e tij mbetën viktima të një grabitjeje të dhunshme mbrëmjen e së enjtes, teksa po ndiqnin ndeshjen Itali-Spanjë të vlefshme për Euro 2024 që po luhet në Gjermani.

Makthi për 57-vjeçarin filloi rreth orës 22:00 kur një bandë prej të paktën pesë personash, të gjithë të armatosur hynë në vilën e futbollistit në Altavilla Vicentina.

Corriere dello Sport raporton se grabitësit kanë hyrë në shtëpi dhe Baggio ka tentuar të përballet duke u përleshur fizikisht me njërin prej tyre. Pas një përleshjeje shumë të shkurtër, grabitësi e ka goditur sulmuesin legjendar të Italisë me pjesën e pasme të armës në ballë, duke i shkaktuar një plagë të thellë, ndërsa më pas Baggio dhe anëtarët e tjerë të familjes janë mbajtur peng në një dhomë për 40 minuta.

Gjatë kësaj kohe kriminelët kanë kthyer përmbys çdo dhomë, duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para, por ende nuk është përcaktuar vlera e sendeve të vjedhura.

Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën dhe ka lajmëruar policinë. Karabinierët kanë ndërhynë me shpejtësi pasi kanë dëgjuar denoncimin e Baggios dhe familjes së tij, ndërsa prokuroria ka nisur një hetim duke sekuestruar të gjitha pamjet e vëzhgimit me video.

Sakaq, Baggio është dërguar në urgjencën e Arzignano, ku u trajtua nga mjekët dhe ka dalë prej andej me disa qepje në ballë. Për anëtarët e tjerë të familjes kishte vetëm gjendje frike dhe paniku, por askush nuk është lënduar.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024