Marash Kumbulla, pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit të rëndë, tashmë është thuajse gati të rikthehet në fushën e lojës me Romën e Mourinhos.
Megjithatë, në prag të sfidës së të shtunës ndaj Juventusit, trajneri portugez është shprehur se mbrojtësi shqiptar nuk do të udhëtojë me ekipin në Torino.
“Problemet në prapavijë? I dinim shumë mirë vështirësitë në repartin e mbrojtjes, e dimë edhe që Ndicka do të largohet në janar për të luajtur Kupën e Afrikës. Po ashtu, e dinim edhe që Kumbulla do të ishte jashtë pjesën e parë të sezonit, ashtu si Smalling. Meqë jemi te Kumbulla, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen me Juventus”, tha Mourinho.
Më tej, ai foli edhe për Bonuccin duke thënë se gjithçka tashmë është mbyllur dhe ai nuk do të bëhet pjesë e Romës, pasi tifozët ishin kundër nënshkrimit me ish-mbrojtësin e Juventusit.
“Nuk dua të mendoj për merkaton sepse shpërqendrohem, por ju them se sa i përket Bonuccit është mbyllur gjithçka. Zemra e klubit janë tifozët dhe nëse diçka nuk iu pëlqen atyre, atëherë vështirë që të realizohet”.
(A2 Televizion)