“Mendim i bardhë”, ky është libri i ish-futbollistit të mirënjohur Lilian Turam. Pas shkëlqimit në fushë me Monakon, Juventusin dhe Barcelonën, si edhe titujve kampion bote në vitin 1998 dhe kampion Europe në 2000-shin me Francën, Turam i është bashkuar lëvizjeve kundër racizmit, seksizmit dhe homofobisë.
Në librin e tij, që tani vjen edhe në shqip për lexuesit, ai ngre pyetje mjaft të rëndësishme. “Çfarë është të jesh i bardhë?”, “Më tepër se ngjyrë lëkure, a nuk është ngjyrë mendimi?” dhe “Cilët janë ata që e kanë shpikur e përse?”.
Libri tregon historinë e mendimit të bardhë, origjinën dhe funksionimin e tij. Mënyrën se si ai përçan, si është përhapur dhe si është bërë aq universal. Sipas Lilian Turam “prej shekujsh, mendimi i bardhë është normë, fosilizim hirearkish, skemash dominimi dhe zakonesh që na janë imponuar”. (A2 Televizion)