Pamje ekskluzive nga Leskovaci, kuqezinjtë zhvillojnë stërvitjen e fundit para Serbisë

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 17:37 | Futboll

Pamje ekskluzive nga Leskovaci, kuqezinjtë zhvillojnë stërvitjen

Kombëtarja shqiptare ka dalë në stadiumin e Leskovacit për të zhvilluar stërvitjen e fundit para takimit të së shtunës ndaj Serbisë.

A2 CNN ka siguruar pamje ekskluzive nga kjo stërvitje, nga ku ka mësuar se fatmirësisht i gjithë grupi është i plotë, nuk ka asnjë të lënduar.

Pak para stërvitjes, trajneri Sylvinho foli në konferencën zyrtare për shtyp. “Çdo ndeshje është e rëndësishme, por sot, po, kjo është më e rëndësishmja. Nëse fiton, bëhet edhe më e rëndësishmja ajo pasuese. Është një ndeshje emblematike, e bukur,” tha Sylvinho, duke theksuar se skuadra është e përqendruar maksimalisht pas stërvitjeve intensive në Tiranë.

Tekniku brazilian konfirmoi se të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe se mungesa e golit nuk është shqetësim. “Goli është pika e fundit e futbollit, por ne kemi punuar për të mbërritur aty. Kam besim te të gjithë djemtë,” u shpreh ai.

Për rivalin serb, trajneri e pranoi se është një skuadër e fortë, me lojtarë që luajnë në kampionate të nivelit të lartë. “E dimë si rreshtohen, por edhe ata na njohin. Nuk ka surpriza të mëdha në këtë nivel,” shtoi braziliani, shkruan A2 CNN.

Duke folur për presionin dhe të ardhmen e tij, ai tregoi qetësi: “Presioni është pjesë e lojës. Kam qenë në ekipe si Arsenali e Barcelona, e di si është. Te Shqipëria jam i lumtur, por askush nuk është i përjetshëm.”

“Në 90 minuta çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të luajmë me intensitet, me zemër e me shpirt. Kam besim të plotë te skuadra jonë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos