“Mashtrim tatimor dhe mashtrim ndaj shtetit”. Me këtë akuzë Policia Financiare ka sekuestruar llogari bankare, prona të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 75 milionë euro nga trashëgimia e Gianni Agnelli.
Kjo dispozitë nga Prokuroria e Torinos është një kapitull i ri në telenovelën që lidhet me trashëgiminë e avokatit të ndjerë, të njohur si babai i kompanisë automobilistike “FIAT”.
Pasuria në fjalë është e ndarë aktualisht mes vëllezërve John, Lapo dhe Ginevra Elkann, noterit zviceran Urs von Grüningen që hartoi testamentin, por edhe llogaritarit të familjes, Gianluca Ferrero, i cili mban postin e presidentit të klubit të Juventusit.
Si u krye përllogaritja e shumës që do të sekuestrohet?
Pyetja që është shtruar në Itali është se si Prokuroria arriti të përcaktojë shumën që do të sekuestrohet në 74.8 milionë euro. Organi i akuzës thotë se është nisur nga sasia e të ardhurave të realizuara nga Marella Caracciolo, e veja e avokatit Agnelli, që prej vitit 2015, vit i fundit i dobishëm për vlerësimin e taksave dhe deklarimeve të pasurisë në organet tatimore italiane.
Më pas është shtuar edhe sasia e aseteve që do t'i nënshtroheshin tatimit mbi trashëgiminë dhe dhuratat. Sa i përket tatimeve mbi të ardhurat, rezulton një IRPEF e shmangur (pra të ardhura nga krimi i mashtrimit tatimor) që është vlerësuar në një total prej rreth 42.8 milionë euro, që rrjedh nga zbritja nga tatimi i një pensioni të përjetshëm të marrë nga Marella Caracciolo nga viti 2015 deri në 2019, në mbi 29 milionë euro dhe fitime kapitale prej afërsisht 116.7 milionë euro, që rrjedhin nga aktivet financiare të mbajtura nga trustet me bazë në Bahamas.
Më pas janë taksat e trashëgimisë dhe të dhuratave, për të cilat janë llogaritur taksat e shmangura në mbi 32 milionë euro. (A2 Televizion)