Deputeti socialist Ervin Bushati dhe Dorian Teliti, shefi i kabinetit i kreut të Partisë Demokratike, debatuan në “A2 Business Week” të producentes ekzekutive të biznesit në A2, Aurora Sulçe, mbi menaxhimin e situatës ekonomikë gjatë pandemisë Covid-19.
Ervin Bushati u shpreh se “jemi ende në pandemi dhe nuk mund të themi ende se çfarë do të ndodhë”.
“Ne mund të hapemi, por nëse nuk hapen partnerët tanë si Greqia apo Italia, ekonomia do të vijojë të vuajë. Por, funksioni i parë i shtetit është ruajtja e njerëzve. Besimi që kemi krijuar nga faza e parë na bën të mendojmë se nëse ruajmë këto parametra, mendoj që ekonomia jonë mund të ringrihet shumë shpejt”, tha Bushati.
Por, sipas Telitit, edhe pse “ekonomia shqiptare, ashtu si e gjithë vendeve të tjera, do të ndikohej negativisht nga pandemia”, qeveria nuk bëri detyrën e saj për të minimizuar dëmin ekonomik.
“Çdokush duhet të bëjë detyrën për të minimizuar dëmet. Konsumatori e bëri detyrën e vet, u karantinuan dhe respektuan rregullat. Biznesi po ashtu. Aktori i tretë, qeveria, nuk e ka kryer detyrën e saj, ndonëse ka prezantuar dy paketa. Paketat ishin të pamjaftueshme për t’ju përgjigjur sfidës social-ekonomike. Të paktën të bënim atë që bëri Kosova, që prezantoi paketa më agresive në mbështetje të konsumatorit dhe biznesit. Përveç halleve që kishim para pandemisë dhe tërmetit, dhomat e tregtisë dhe ekonomisë në Kosovë po krenohen duke u krahasuar me ne. Paketat më agresive, që do të stimulonin konsumin dhe do të mbanin gjallë biznesin për këto 2-3 muaj, duheshin ndërmarrë në kurriz të buxhetit të shtetit. Duhej hequr çdo shpenzim që nuk kishin lidhje me krizën shëndetësore. Pasi të ezauroheshin këto hapësira në buxhet, mund të procedohej me rritjen e borxhit publik”, u shpreh Teliti.
Përgjigjja e Bushatit ishte: “Nuk ka shtet që nuk do të donte të ndante më shumë para’. Por, nuk jemi në komunizëm që të mbajë shteti njerëzit me para’ dhe punë. Ne nuk jemi vetëvrasës që mos të duam të ndihmojmë biznesin. Mos harrojmë që Shqipëria ka një premtim për 1,5 miliardë euro për rindërtimin. Nuk jetojmë në një botë ëndrrash që të shpërndajmë para’ pa fund. Shoqëria është hapur dhe aktiviteti këtë javë ka qenë thuajse në normalitet. Po shpresojmë mos të kemi valë të dytë infektimesh që do ta dëmtonte më shumë ekonominë. Ne vazhdojmë ende të jemi në situatë pandemie, në SHBA ka shkuar 20% papunësia. Sot është shumë shpejt të flasësh për papërgjegjshmëri. Shqipëria është vlerësuar dhe prandaj janë dhënë 1,5 miliardë euro. Ne jemi të besueshëm për FMN, Bankën Botërore apo BE-në, vetëm për Bashën jo”. (A2 Televizion)