Pandemia goditi rëndë arkën e shtetit gjatë muajit prill, kur ishin në fuqi edhe masat shtrënguese që mbajtën mbyllur pjesën më të madhe të ekonomisë.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për muajin prill, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe pushteti vendor ishin 34% më pak se plani i fillimvitit.
Pezullimi i taksave dhe tarifave vendore dhe shtyrja e pagesës së kësteve të tatim-fitimit si masa për të zbutur goditjen për bizneset, janë ndër arsyet kryesore për mungesën e 110 milionë eurove në buxhet vetëm gjatë muajit të kaluar.
Por, arsyeja më shqetësuese është rënia dramatike e TVSH-së së arkëtuar, një tregues direkt i konsumit, që tregon se xhiroja në vend ra me mbi 44%.
Mbyllja e dhjetëra mijëra vendeve të punës ndikoi gjithashtu në rënien e ndjeshme për muajin prill të Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe të kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Në total, për 4 muajt e parë të vitit, arkës së shtetit i mungojnë 206 milionë euro krahasuar me planin, çka pritet të detyrojë qeverinë të rishikojë edhe njëherë buxhetin. (A2 Televizion)