Me temperaturat e larta që kanë “pushtuar” vendin ditëve të fundit, janë rritur kërkesat për trajtim të shtuar mjekësor, ku vetëm gjatë javës që kaloi, mbi 1000 persona janë paraqitur në 9 postacionet e ngritura posaçërisht kundër kësaj vale të të nxehtit.
“Ne do të vijojmë që edhe kësaj jave në pikat tona të asistencës mjekësore në vend, të vijojnë të qëndrojnë në këto poststacione që ne kemi vendosur. Janë katër në Tiranë dhe pesë në rrethet e tjera, ku përveç 18 njësive të autoambulancave që kemi në zonat bregdetare, do të vijojmë asistencë të dedikuar dhe siguri për rastet që paraqesin urgjencë. Janë 1500 shërbime që janë dhënë përgjatë javës që shkoi dhe ne do të vijojmë të mbështesim stafet tona mjekësore, në mënyrë që shërbimi në kohë për qytetarët, të jepet në mënyrën sa më cilësore”, tha ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Nga ana tjetër, e njëjta panoramë paraqitet edhe për urgjencat pediatrike.
“Janë më shumë se 1000 vizita apo shërbime gjatë këtij muaji, të cilat janë realizuar nga mjekët pediatër në 4 qendrat shëndetësore këtu në Tiranë. U janë ofruar shërbime në kohë prindërve, shërbimi pediatrik nuk po mungon, nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë me vizitat tek mjeku pediatër në qendrat shëndetësore 24 orëshe që ne kemi hapur, por edhe në QSUT ku spitali pediatrik është në gadishmëri të plotë”, shtoi Manastirliu.
Qendra shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 7 në Laprakë, qendra shëndetësore nr. 8 pranë sheshit Wilson dhe qendra shëndetësore nr. 6 në Kombinat, ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës për urgjencat pediatrike.
Në kuadër të planit të masave ndaj të nxehtit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në koordinim me gjithë strukturat shëndetësore dhe Njësinë Mjekësore të Ushtrisë, ka në gatishmëri 9 autoambulanca në zonat me fluks të lartë në qendrat e qyteteve për ardhjen në ndihmë të rasteve urgjente; 18 autoambulanca në zonat turistike me fluksin më të lartë. Po ashtu, janë hapur 30 qendra shëndetësore verore në zonat bregdetare dhe malore. (A2 Televizion)