Qasja më e butë e Bankës së Shqipërisë në drejtim të politikës monetare këtë vit po reflektohet te titujt qeveritarë. Nga 5.34 për qind në fillim të vitit, norma e interesit për bonot e thesarit 12-mujore ka rënë në 3.16 për qind.
“Arsyeja se pse ka pasur rënie lidhet sa me vendimmarrjen e bankës së Shqipërisë, aq edhe me zhvillimet botërore ku ka një rënie të normave të interesit”, shprehet Enkelejd Dyrmishi, këshillues financiar.
Rënia e normave të interesit te bonot e thesarit dhe obligacionet po shoqërohet me rrudhje të interesit për të investuar. Nisur nga ky trend mbi 6-mujor, në ankandin e 15 gushtit norma e interesit për bonot e thesarit 12 mujore u rrit në 3.16 nga 3.13 që ishte më herët. Kjo sepse nga 7.2 miliardë lekë të kërkuara, investitorët ofruan 7.66 miliardë lekë.
“Besoj se janë banak ato që po blejnë bonot e thesarit. Qytetarët janë në kurthin e inflacionit dhe çmimet e larta zor se mund ‘i lenë ata që të investojnë në tituj qeveritarë. Deri duku mund të ketë ndonjë emigrant që ka para të hequra mënjanë dhe nuk i investon dot në vendin ku jeton”, tha Enkelejd Dyrmishi, këshillues financiar.
Me gjithë rënien e normave të interesit, këshilluesit financiare i vlerësojnë titujt qeveritarë jo vetëm të sigurt, po edhe më të leverdisshëm se depozitat në banka apo investimet e tjera tradicionale te bizneset e shërbimit.
“Duket t’i largohemi idesë që t’i mbajmë paratë aty. Me inflacionin në nivele kaq të larta ato vetëm zhvlerësohen”, shprehet Dyrmishi.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se deri në qershor qeveria ka marrë 86.6 miliardë lekë hua nëpërmjet bonove 12-mujore nga 67.2 miliardë lekë në po të njëjtin hark kohor të një vit më parë. (A2 Televizion)