Tronditet Shkodra, tritol banesës së shefit të krimeve, Pëllumb Shpati

Nga A2 CNN
13 Janar 2023, 08:35 | Kronikë

Banesa e shefit të seksionit për hetimin e krimeve në komisariatin e Policisë së Shkodrës, është bërë objekt i një sulmi me lëndë plasëse në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte. Sipas Policisë së Shkodrës rreth orës 03:50 minuta, përpara banesës së Pëllumb Shpatit, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer lënda eksplozive e dyshuar e llojit tritol, duke dëmtuar portën e jashtme të banesës, një pjesë të murit rrethues si dhe veturën e Shpatit, që ndodhej në oborr.

https://www.youtube.com/watch?v=kqXRJbpBgis

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa familja e oficerit të policisë si dhe banesat aty pranë kanë përjetuar momente paniku. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë si dhe është ngritur grupi i hetimit për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Paraprakisht bëhet e ditur se shefi i hetimit të krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati, si dhe familja e tij nuk ka pasur konflikte personale, që mund të bëheshin shkak për një ngjarje të tillë. Dhe për këtë arsye, hetimi për momentin është përqendruar te detyra e Shpatit, si shef i seksionit të hetimit të krimeve, duke ngritur dyshime se ngjarja në fjalë mund të jetë motivuar për shkak të detyrës së kryefamiljarit.

Gjithashtu policia ka nisur sekuestrimin e kamerave të sigurisë jo vetëm pranë banesës ku ka ndodhur shpërthimi por edhe në rrugët që të çojnë dhe të largojnë nga banesa, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve. Ngjarje të tilla me karakter kërcënues ndaj oficerëve dhe efektivëve të Policisë së Shkodrës janë të përsëritura kohët e fundit, ndërsa shumica e tyre vijojnë të jenë të pazbardhura. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi