Shtimi i përdoruesve të lëndëve narkotike dhe veçanërisht drogave të forta është ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë shqiptare.
Por krahas shtimit të përdoruesve një shifër sado pak ngushëlluese është edhe shtimi i numrit të persona që kërkojnë ndihmë për t’u shkëputur nga varësia e drogës. Në qendrën e rehabilitimit në Elbasan, numri i personave që kërkojnë ndihmë për të lënë drogën është dyfishuar krahasuar me një vit më parë.
A2 ka sjellë historinë e një 44-vjeçari i cili pas më shumë se 20 vitesh përdorues i heroinës po tenton të rifitojë jetën e tij. Si shumica e përdoruesve edhe fillimet e tij ishin spontane sa nga kurioziteti aq edhe nga rrethi shoqëror.
“Fillimisht nga viti 97 kam pirë hashash, në shoqëri, në festa. Më thoshin se është e lehtë, por pastaj ngeca”, tregon ai.
Me kalimin e muajve varësia sa vinte dhe shtohej dhe marrja e lëndës narkotike u kthye në një qëllim në jetën e tij dhe natyrisht pasojat ishin shumë dimensionale. “Në vitin 2000 jam shtruar disa herë në spital, mu ishte mërzitur jeta, kisha objektiv vetëm të gjeja droge. Lashë punën, më mbaruan lekët, fillova të marr borxhe, isha i fejuar dhe u ndava”, vijon ai tregimin.
Fatmirësisht regjistrimi në qendrën e rehabilitimit ka shtuar shpresat dhe mundësinë që 44-vjeçari t’i rikthehet jetës të pavarur nga lënda narkotike dhe ajo që është më kryesorja edhe ai vetë e ka kuptuar këtë. Madje ka edhe disa këshilla që i vijnë nga ajo që ka përjetuar vetë. “ Nuk është mirë ta provosh fare, do të jesh i zhgënjyer të gjithë jetën”, pohon ai për A2 CNN.
Ashtu si shumë shtresa të tjera në nevojë në shoqërinë tonë edhe përdoruesit e drogës që kërkojnë ndihmë për t’u shkëputur nga varësia, kanë nevojë për angazhim serioz për të rifituar jetët e tyre dhe për t'u bërë shembull në betejën e shoqërisë kundër varësisë nga droga. (A2 Televizion)