Vendgrumbullimi te shtëpitë, banorët e Manzës, protestë për mbetjet e Durrësit

Nga A2 CNN
7 Qershor 2020, 16:27 | Sociale
Vendgrumbullimi te shtëpitë, banorët e Manzës, protestë

Mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos, për të vijuar me zbatimin e projektit të Eko Parkut, ka krijuar kolaps në menaxhimin e mbetjeve urbane që gjenerohen në Bashkinë e Durrësit.

Fillimisht, bashkia gjeti si zgjidhje provizore depozitimin e tyre në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sukth, e më pas në Manëz, por në të dyja këto pika ka hasur në rezistencën e banorëve të zonës.

Banorët e Njësisë Administrative në Manëz kanë protestuar këtë të diel për t’i kërkuar bashkisë që të ndalojë këtë masakër mjedisore që po i bëhet zonës së tyre, që përveç hedhjes së mbetjeve fare pranë banesave të tyre, digjen po aty, duke krijuar ndotje të madhe për mjedisin por dhe ujin e pijshëm dhe atë vaditës, që përdorin banorët në sektorin e bujqësisë.

Ambientalisti, Sazan Guri, i është bashkuar rezistencës së banorëve të Manzës, ndërsa ka pohuar se kjo situatë nuk mund të konsiderohet zgjidhje nga ana e Bashkisë Durrës.

Burime pranë Bashkisë Durrës bëjnë më dije se procesi i përpunimit të mbetjeve përkohësisht mbetet pezull, për shkak të mungesë së një vendi të përcaktuar, deri në një vendim nga ana e qeverisë qendrore. Deri atëherë, në rrugët e qytetit turistik më të madh në vend, mbetjet do të jenë prezente në çdo hapësirë publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos