Vetingu në drejtësi, Kushtetuesja “nuk përfill” gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar

Nga A2 CNN
22 Mars 2023, 17:01 | Aktualitet

Vitin e ardhshëm përfundon procesi i vetingut, ndërkohë filtrat e tij nuk i kanë kaluar ende edhe 174 gjyqtarë e prokurorë. Që nga nisja e procesit deri më tani, Shkalla e Parë e vetingut numëron 631 vendime në total, 220 prej të cilave shkarkim nga detyra. Ndërsa në Shkallën e dytë janë dhënë në total 182 vendime.

Por paralelisht me vendimet negative të procesit të vetingut ndaj njerwzve të drejtësisë, nuk janë tërhequr nga beteja për t’u rikthyer në sistem. Edhe pse sipas ligjit, vendimi përfundimtar dhe i pa ankimueshëm jepet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Shkalla e Dytë e vetingut, një pjesë e të shkarkuarve kanë trokitur në Kushtetuese.

Aty kanë kërkuar rishikim të vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por sipas të dhënave zyrtare, në asnjë rast Kushtetuesja nuk ka vendosur në favor të tyre. Vetëm në dy muajt e fundit Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë në seancë plenare të paktën katër padi të njerëzve të drejtësisë të larguar nga sistemi.

Kërkimet në Kushtetuese janë bazuar kryesisht në një vendimmarrje të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg, në rastin Besnik Cani kundër Shqipërisë. Në atë vendim, Strasburgu konstatoi se Cani ishte shkarkuar nga një gjykatë që nuk ishte zgjedhur sipas ligjit, referuar faktit se në përbërje të saj ishte anëtari Luan Daci, i emëruar në kundërshtim me ligjin.

Në të katër vendimet, Kushtetuesja vlerëson se kërkimet për rishikim të vendimit të KPA nuk hyjnë në juridiksion kushtetues, për sa kohë që objekti i kërkimit është rishikimi i një tjetër organi kushtetues, KPA-së. Përveç Canit, Strasburgu ka gjetur shkelje edhe në shkarkimin e ish-prokurores Antoneta Sevdari. Por krahas vendimeve të Strasburgut, legjislacioni shqiptar nuk parashikon një institucion që mund të rishqyrtojë vendimet e Shkallës së dytë të vetingut.

https://a2news.com/2022/11/03/buxhetet-per-vitin-2023-opozita-dyshuese-nese-organet-e-vetingut-justifikojne-fondet/
https://a2news.com/2021/07/24/reforma-ne-drejtesi-cfare-drejtesie-solli/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi