Kupa e Shqipërisë në volejboll do të përcaktojë sot çiftet finaliste për meshkuj dhe femra. Në rrjetën e vajzave, njëra biletë është siguruar prej ditësh nga skuadra e Skënderbeut e cila kaloi pa vështirësi rivalet e Vllaznisë në të dyja ndeshjet.
Fokusi është i gjithi në kryeqytet atje ku ka derbi në të dyja kategoritë. Vendi tjetër i finales së femrave diskutohet mes Partizanit dhe Tiranës, duel i cili në aktin e parë pa të kuqet të triumfonin 3-2. Ndaj sot, llogaritë janë të hapura në sallën sportive “Feti Borova” atje ku në orën 18:00 luhet për biletën tjetër të finales. Në rast të një fitoreje të bardhebluve me të njëjtat shifra, ndeshja do ti drejtohet “golden set”, një seti prej 15 pikësh që përcakton skuadrën që kualifikohet.
Derbi ka edhe te meshkujt. Tirana pret Partizanin në “Farie Hoti”, sot në orën 19:00 ndërsa ka fituar 3-1 takimin e parë. Skuadrës së Arben Sakos do t’i mjaftojnë sot 2 sete për të përmbushur kalimin në finalen e Kupës. Gjasat janë që bardheblutë të përballen përsëri me Erzenin i cili ka fituar 3-0 gjysmëfinalen e parë kundër Vllaznisë dhe sot luan në Shijak aktin e dytë të këtij ballafaqimi. (A2 Televizion)