Xhaçka i përgjigjet Greqisë: Beleri në burg, çështje e drejtësisë, jo e politikës

Nga A2 CNN
31 Gusht 2023, 20:49 | Politikë
Xhaçka i përgjigjet Greqisë: Beleri në burg,

Çështje Beleri vijon të jetë “mollë sherri” mes Shqipërisë dhe Greqisë. Athina zyrtare kërcënon për ngrirje të marrëdhënieve apo edhe për vënien e vetos për integrimin në Bashkimin Europian, e ndërsa përballë këtyre deklaratave nuk ka munguar as përgjigja nga ana e qeverisë shqiptare.

Së fundmi, është ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e cila u ka bërë të qartë se çështja Beleri, i takon drejtësisë shqiptare dhe askujt tjetër, as qeverisë shqiptare e aq më tepër asaj greke. Në reagimin e saj, Xhaçka thotë se politika nuk mundet të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë apo të dërgojë noterë në burg që Beleri të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës.

“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! Organet e reja të drejtësisë shqiptare kane folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu:Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtesia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke. Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”, shkruan Xhaçka.

Ky reagim vjen pasi homologu i saj grek, Giorgos Gerapetritis tha sot se mbajtja e Fredi Belerit në burg nuk është çështje e gjykatës, por e politikës.

“Dua të theksoj se kjo çështje, veçanërisht betimi dhe marrja e detyrës nga zoti Beleris, nuk ka të bëjë me funksionin gjyqësor në Shqipëri, por është thjesht një çështje vullneti politik, nga ana e qeverisë shqiptare. Dhe për këtë arsye, Greqia do të vazhdojë të shterojë çdo diferencë, në mënyrë që të bëhet e mundur betimi i kryetarit të bashkisë”, tha Gerapetritis.

Fredi Beleri ndodhet në burg, i arrestuar për “korrupsion në zgjedhje” , për rrjedhojë nuk mund të betohet si kryebashkiak dhe rrezikon të humbasë mandatin e fituar në 14 maj. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/30/kercenimet-e-athines-per-lirimin-e-belerit-rama-jane-antike-nuk-kane-asgje-europiane/

A2 CNN Livestream

Latest Videos