Është zhvilluar ceremonia private e dërgimit në banesën e fundit të kreut të Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Trupi i pajetë i mercenarit kryesor të Putin, që udhëhoqi për shumë muaj luftën në Ukrainë, u preh në varrezat e Porokhovskoe në Shën Petersburg.
Në të morën pjesë një numër i vogël pjesëmarrësish, kryesisht familjarë të ngushtë të “kuzhinierit” të kreut të Kremlinit.






Ndërkohë, shërbimi për shtyp i Concord, kompania e kreut të Wagner, deklaroi se ata që dëshirojnë të bëjnë homazhe mund të vizitojnë varrezat Porokhovskoe.
Mëngjesin e së martë një numër i madh forcash policie u shfaqën në këtë varrezë, për të siguruar që ceremonia mortore e Prigozhin të mos kishte asnjë incident.
Në varrezën Porokhovskoe prehen edhe prindërit e presidentit rus, Vladimir Putin, përveç shumë ushtarëve dhe funksionarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë, një hipotezë e re ka dalë në qarkullim lidhur me shkaqet që sollën rrëzimin e avionit të kreut të Wagner. Media ruse, Moskovskij Komsomolets, shkruan se një pajisje shpërthyese mund të jetë vendosur brenda kondicionerit të mjetit fluturues, të ndërruar pas një defekti më 18 korrik. (A2 Televizion)