Parandalimi i bimëve narkotike, kritikat e DASH dhe OFL, Çuçi: Shqipëria ka fituar besueshmëri

WhatsApp Image 2021 03 09 at 20.48.57 1100x620

Operacioni i sotëm ndërkombëtar Shqipëri-Itali Gjermani, ku droga sigurohej nga Vlora dhe që çoi në arrestimin e disa personave më urdhër të gjykatës së Romës, është udhëhequr nga Shqipëria. Këtë konfirmoi në studion e “Absolut 4” ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, i cili shtoi se vendi ynë ka krijuar një besueshmëri të madhe në Europë dhe është ulur në Europol si vend anëtar i Europës.

“Ato që janë kapur sot dhe që aksioni ka qenë i udhëhequr nga ne i takon mbjelljes së vitit të kaluar. Operacione të përbashkëta me Italinë jemi në nivel besueshmërie si një organ i vetëm dhe me Anglinë dhe Shqipëria është e ulur në Europol si një vend anëtar dhe asnjë vend i rajonit nuk është ulur si ne, as Serbia e as Maqedonia e Veriut. Kjo tregon që policia jonë është në nivel e standard të kënaqshëm përderisa fituam besimin e tyre”.

Çuçi thekson se ky besim i fituar duhet të mbahet, teksa sjell në vëmendje dhe shifrat e ulura të  kanabisit që tregtohej në Itali në vitin 2020, përkundër vitit 2016.

“Duhet të punojmë fort që këtë besim të fituar ta mbajmë. Ne sot bëjmë operacione të përbashkëta ku i udhëheqim ne. Dhe me Italinë vjen një statistikë tjetër domethënëse. Në 2016, 40% e kanabisit që tregtohej në Itali vinte nga Shqipëria, në 2020 vetëm 5% ka burim Shqipëria dhe kjo është statistikë që tregon suksesin e policisë shqiptare”.

I pyetur për kritikat e Departamentit Amerikan të Shtetit, ministri i Brendshëm shprehet se ky ai është gjithnjë kritik, ndërsa shton se të rëndësishme janë vullneti dhe mekanizmat ëpr të luftuar këtë fenomen.

“DASH është gjithnjë kritik se e gjithë zona qarkullon. Në statistikat e Europol ti lexon që gjysma e kokainës hyn në portin e Roterdamit. Statistika të kësaj natyre do ketë. Kjo është një luftë e vazhdueshme në nuk pretendojmë që ne në të ardhmen s’do kemi, as krim, as trafik. Nuk pretendohet kjo sot në botë. Kanë shumë rëndësi mekanizmat dhe vullneti”.

Sa i takon Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin pronave, Çuçi tha që ky është një proces që vazhdon në SPAK. Ai pohon që rasti i Artan Shkëmbit është një episod i shkëputur dhe pranon që raste të tilla ka edhe sot në polici, por që detyra është zbulimi dhe vënia para drejtësisë e tyre.

“Ka shumë konfiskime dhe është një proces që vazhdon në SPAK e Gjykatë. Artan Shkëmbi, është episod i shkëputur dhe ai është i trajnuar nga gjermanët, por këto janë elementë, Artan Shkëmbi ka edhe sot në polici. Detyra jonë është t’i heqim nga policia dhe t’i çojmë para drejtësisë sapo t’i zbulojmë. Artan shkëmba është rast i shkëputur jo rrjet i tërë. Kështu që për sa i takon veprimeve që po kryhen prokuroria dhe tani vazhdon puna nga SPAK dhe Gjykata”.