Protestuesit nuk ndalen. Pavarësisht tensioneve, përplasjeve mes tyre dhe policisë, shoqërimeve në komisariat, pas tubimit para Parlamentit që nisi nga mëngjesi e deri pasdite, qytetarët u ribashkuan sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të marshuar drejt sheshit para godinës së Kryeministrisë.
Protesta e 54-t kundër qeverisë nisi me thirrjen për lirimin e protestuesve të shoqëruar nga policia, shkruan A2.
Për protestuesit, autorë të dhunës nuk ishin ata, por vetë policia. Megjithatë, gjatë kësaj proteste u bë thirrje që tubimi të vazhdojë paqësisht dhe të respektohet çdo polic, pasi, sipas tyre, e keqja e vendit nuk është uniforma blu, por vetë Edi Rama.
Edhe në këtë protestë, thirrjet, pankartat dhe kërkesat ishin të njëjta, me kryesoren atë për largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Marshimi në rrugët e kryeqytetit nuk mungoi e as thirrjet për ta vijuar dhe në ditët që vijnë këtë protestë, në mënyrë paqësore. (A2 Televizion)