Krimi zgjedhor, Xhafaj: Qytetarët të bëhen barrikadë. Nuk do të jetë e lehtë për zgjedhje të lira. Përgjegjësi e forcave politike

6 PRILL ABSOLUT 4 P1 frame 14577 1100x620

“Nuk do të jetë e lehtë, por është përgjegjësi e partive politike që të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe brenda standardeve demokratike në respekt të qytetarëve. Kështu u përgjigj kandidati socialist për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit Fatmir Xhafaj në studion e Absolut 4, duke komentuar deklaratat e zv.ndihmës Sekretarit Amerikan Matthew Palmer për zgjedhjet në Shqipëri, pas takimeve me liderët politikë në vend.

Xhafaj thekson se qytetarët kanë shansin të votojnë për subjektin dhe kandidatin që dëshirojnë, pasi ky sistem zgjedhor u mundëson liri më të madhe zgjedhjeje.

“Shpresoj që këto të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme brenda standardeve demokratike që e meritojmë të jemi vend anëtar i NATO-s dhe familjes europiane ku liria e zgjedhjes dhe standardet në zgjedhje janë normalitet. Precedentët e mëparshëm të bëjnë të mendosh që nuk do jetë një gjë e lehtë, por është përgjegjësi e partive ta zhvillojnë këtë garë në respekt të shpresës që kanë qytetarët ku ata të shprehin lirshëm verdiktin e tyre. Qytetarët kanë shansin të kenë një votë me fuqi të dyfishtë. Nga njëra anë forcën politike dhe nga ana tjetër preferencën për kandidatin e tyre në parlament. Ky sistem mundëson liri të madhe zgjedhje por janë 36 kandidatë që paraqiten nga çdo forcë politike. Iu duhet dhënë mundësia dhe liria e qytetarëve të vendosin për subjektin politik dhe forcën politike për kandidatin që ata dëshirojnë dhe është e rëndësishme që aty është një numër por pas atij numri është një emër me të gjithë formimin e nevojshëm”.

Sa i takon fletës së votimit, Xhafaj shprehet se versioni me emra do të ishte një version më pozitiv se ai me numra që tashmë është fakt i kryer.

“Versioni me emër do të ishte një version më pozitiv, nuk di sesa do ishte nga pikëpamja teknike për t’u aksesuar më lehtë. Sot është fakt i kryer, por besoj se qytetarët e kanë pjekurinë që pas çdo numri është një person dhe të gjithë lirinë dhe përgjegjësinë të zgjedhin atë që dëshirojnë, tani është radha e tyre”.

Përgjegjësinë për distancimin nga krimi zgjedhor ua faturon forcave politike dhe drejtuesve të tyre, por shton se qytetarët duhet të bëhen barrikadë ndaj fenomeneve të tilla. Ai thekson gjithashtu se rol të rëndësishëm në këtë kanë edhe institucionet e drejtësisë.

“Krimi zgjedhor është kompleks, po përgjegjësia kryesore u shkon forcave politike dhe drejtuesve të tyre dhe vetë qytetarët që kanë plotësisht mundësinë që të bëhen barrikadë ndaj fenomeneve të tilla, se përfshihen vetë njerëzit. Janë 4 minuta dhe bëhet fjalë për qeverisjen e 4 vjetëve të familjeve të tyre, dhe të denoncojnë rastet e abuzimit me ligjin. Një rol të rëndësishëm kanë institucionet e drejtësisë. Deri dje ka qenë në letër e pavarur por ka qenë e varur deri dje nga politika se e tillë ishte ndërtuar drejtësia, nga mënyra si rekrutoheshin, sot kemi organe të reja.  Do të ishte mirëpritur dhe në tërësi organet e reja të drejtësisë dhe SPAK duhet të ketë një transparencë më të madhe me publikun dhe komunikim më aktiv me qytetarët. Nuk mund të paragjykojmë se drejtuesi Kraja dhe ekipi i tij e kanë parashikuar një gjë të tillë për të kërkuar mbështetjen e tyre se ata që denoncojnë raste të tilla nuk penalizohen”.