Haxhinasto: Situata në Rinas mund të ishte parandaluar, duhet hetim i plotë

8 PRILL ABSOLUT 4 P3 frame 13118 1100x620

Nëse do kishte vullnet e përgjegjshmëri më të lartë situata e bllokimit të fluturimeve në Rinas nuk do të kishte ndodhur. Kështu u shpreh kandidati për deputet  i LSI-së Edmond Haxhinasto në studion e “Absolut 4”. Sipas tij për këtë ngjarje duhet bërë një hetim i plotë për të analizuar të gjitha arsyet që situata të tilla të mos ndodhin më.

“Padiskutim që do kishte zgjidhje tjetër, nëse do kishte vullnet e përgjegjshmëri më të lartë kjo çështje nuk do ishte krijuar. Unë mendoj se është më komplekse se pagesat, por çdo interpretim publik është i pavlerë. Duhet bërë një hetim i plotë dhe për të analizuar gjithë arsyet dhe hetimi i performancës së Albcontrol dhe ka ndikuar e ndikon në imazhin e vendit. Është çështje e sigurisë kombëtare. Si ky pretendim ka edhe të tjera dhe duhet të jetë një rast ku bëhet hetim i thellë pasi pretendohet se ka parregullsi të mëdha. Hetimi është i nevojshëm për të parë shkaqet që të mos të ndodhë më”.

Haxhinasto e konsideron të turpshëm menaxhimin e trafikut ajror nga shtetas të huaj, pasi përgjegjësia është e shtetit shqiptar.

“Kjo është  turpshme, është çështje e jona, e përgjegjësive tona dhe është e vërtetë që mund të ketë emërime nepotike, por kanë kualifikim shumë special ata janë në procese kualifikimi të vazhdueshëm. Më me kualifikim se mjekët, se mjeku rrezikon jetën e një pacienti kur këta rrezikojnë jetën e më shumë njerëzve. Nuk mund të vazhdohet me përqasjen e injorimit të kërkesave të tyre dhe gjetjes së një zgjidhje duke negociuar me ta”.

Për analistin Afrim Krasniqi tronditës është publikimi i bisedave të njerëzve, pasi cenohen liritë individuale dhe humbet besimi i qytetarëve.

“Një nga ngjarjet që më ka tronditur janë bisedat e njerëzve. Si është e mundur që ia shpërndajnë mediave, humbet besimi dhe cenohen liritë individuale si ka mundësi prokuroria nuk nis një hetim të brendshëm”?

Kurse analisti Ilir Kalemaj thotë se sulmet ndaj kontrollorëve janë denigruese, për shkak se një pjesë e tyre janë vende nepotike të shfrytëzuar nga politikanët. Sipas tij duhet meritokraci për të menaxhuar krizat.

“Sulme denigruese ndaj kontrollorëve, një pjesë nepotike, që i kanë shfrytëzuar politikanët e të gjitha kaheve duhet të shkojmë drejt meritokracisë. Që të kemi vërtet menaxhim krizash. Por duhet të menaxhojmë krizat që mos gjendemi nga njëra krizë në tjetrën”.