Zgjedhjet e 25 prillit, Haxhinasto: Rezultati i LSI do të tejkalojë rezultatin e 2017

Kandidati i LSI për zgjedhjet e 25 prillit Edmond Haxhinasto u shpreh optimist që LSI do të ketë rezultat më të mirë se në zgjedhjet e 2017-ës. Në studion e “Absolut 4” ai tha se LSI ka program konkret dhe të prekshëm për të gjithë qytetarët

“Rezultati i LSI do jetë përtej rezultatit të 2017-ës. Këtë do ta tregojnë qytetarët ne jemi optimistë. Shohim pakënaqësitë ndaj keqqeverisjes që vjen si mbështetje për LSI, pasi ka bërë një ofertë politike me programin e saj konkret dhe të prekshëm për jetën e qytetarëve dhe adreson problemet e mëdha që ka vendi. Unë e shoh si një garë të hapur dhe mundësi për çdo kandidat për të treguar sa e ka peshën brenda siglës së partisë. Kërkohet vota për forcën politike dhe secili kërkon votë për veten e tij dhe besoj që qytetarët do të japin mbështetjen specifike për çdo kandidat”.

I pyetur për diferencimet në programin me PD, Haxhinasto u shpreh se kanë pikëtakime dhe vlerësime të ngjashme për problematikat madhore të vendit.

“Kemi patur vlerësim të ngjashëm për problematikën që ka vendi kemi patur vlerësim për mënyrën si zgjidhet dhe kemi dalë me propozimet konkrete. Shohim të domosdoshëm çështjen e çlirimit të ekonomisë nga ngërçi, monopolet dhe oligopolet dhe përmirësimin e klimës së biznesit, për të mbështetur sektorë si bujqësia dhe të tjerë të rëndësishëm. Do gjendet gjuha edhe për politikat që ka diferenca”.