Nga Turqia, Spanja dhe Dubai, udhëtimi jashtë për festat e nëntorit kthehet në traditë

Publikuar më: 11/11/2022, ora 10:26

Nga Turqia, Spanja dhe Dubai, udhëtimi jashtë për festat e nëntorit kthehet në traditë

Publikuar më: 11/11/2022, ora 10:26

Festat e nëntorit sigurojnë një fundjavë të gjatë 4-5 ditore kryesisht për punonjësit e administratës publike, bankave dhe kompanive. Tashmë është kthyer në traditë që festat kombëtare të shfrytëzohen, jo për të festuar aq sa për të udhëtuar.

Fluturimet “low cost” shihen si alternativa më e mirë për një fundjavë të gjatë. Italia, Franca, Spanja dhe Turqia janë destinacionet më të preferuara, por së fundmi listës po i shtohen edhe Abu Dhabi dhe Dubai, ku paketat që ofrohen janë tunduese për shkak të kostos që është reduktuar ndjeshëm falë fluturimeve direkte.

Destinacionet e afërta që aksesohen me autobus preferohen me shumë, sidomos në këtë periudhë që të gjithë janë prekur nga kriza e çmimeve. Operatorët turistikë shprehen se gjithnjë e më shumë po shmanget avioni dhe po preferohet autobusi si mjet transporti për të vizituar vendet e rajonit, por edhe shtete të largëta.

Krizë pas krize, me pandeminë në mes, operatorja turistike Fiorida Zani, shprehet se shqiptarët po mendohen dy herë përpara se të udhëtojnë.

Ndërsa shqiptarët e Shqipërisë largohen nga vendi për festat e çlirimit dhe pavarësisë, shqiptarët e Kosovës i rrinë sërish besnikë shtetit amë, edhe me një vizitë dyditore në qytetin e flamurit. Operatorët turistikë i cilësojnë shpesh si patriotë të vërtetë.

Çmimet e biletave dhe paketave nuk janë shumë të larta në këtë periudhë të vitit, ndërsa tur-operatorët paralajmërojnë se sa më shumë të afrohen datat e udhëtimit, aq më shumë duhet të paguajnë të interesuarit. I njëjti fenomen shoqëron festat edhe në hotelet dhe resortet brenda vendit.