Gazetari Igli Çelmeta zbardhi të tjera detaje rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Korçë, ku 43-vjeçari Violand Braçellari dyshohet se vrau efektivin e policisë Enea Mekolli dhe plagosi kolegun e tij Edison Adri.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, gazetari bën me dije se ishin 14 policë të aktivizuar për operacionit, por automjeti i “bluve” u prish gjatë rrugës për shkak të terrenit të vështirë, dhe 6 efektivë të “Shqiponjave” shkuan me këmbë në drejtim të stanit ku fshihej i shpalluri në kërkim.
Gazetari tregon se Braçellari ka hapur zjarr në një tjetër rast në drejtim të policisë, por herën e parë pa dëme në njerëz.
“Një automjet policie u prish gjatë rrugës, për shkak të terrenit të vështirë, dhe një pjesë e efektivëve kanë mbetur në rrugë, ndërsa pjesa tjetër, 6 efektivë të forcave ‘Shqiponja’ kanë shkuar në këmbë në drejtim të stanit ku ndodhej i fshehur 43-vjeçari Violand Braçellari. Ky ishte një terren i njohur për Policinë e Shtetit, pasi ky person ishte shpallur në kërkim që nga viti 2016. Për 10 vite i ka shpëtuar policisë dhe operacioneve policore. Në një operacion policor vite më parë, ky sërish ka qëlluar në drejtim të policisë, edhe pse s’ka pasur dëme njerëzore. Ishte një person me rrezikshmëri të lartë edhe në fshat. Ditën e djeshme ka pasur gjyq në Gjykatën e Korçës, ku ishte i paditur për dhunimin e një bashkëfshatari të tij”, tha gazetari Çelmeta. (A2 Televizion)