
Një cisternë nafte ka shpërthyer në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se është përplasur me një minë detare, raportojnë mediat iraniane. Incidenti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.
Paralelisht me ngjarjen, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, bëri të ditur se është shënuar përparim në bisedimet me Omanin për krijimin e mekanizmave që do të garantojnë sigurinë e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Zhvillimet vijnë pas dy netësh pa sulme amerikane ndaj Iranit, duke shënuar një pauzë pas gati dy javësh bombardimesh të ndërsjella. Teherani ka njoftuar se, si përgjigje ndaj kësaj qetësie relative, ka pezulluar përkohësisht edhe sulmet hakmarrëse ndaj objektivave amerikane në rajon.
Megjithatë, situata mbetet e tensionuar. Autoritetet iraniane kanë thirrur diplomatët ukrainas pas një sulmi ndaj një anijeje iraniane në Detin Kaspik, ku humbi jetën një marinar dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet më strategjike të tregtisë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve botërore të naftës. Çdo incident në këtë zonë rrit shqetësimet për furnizimet globale me energji dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në luhatjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. (A2 Televizion)