Shoqëria shqiptare po jeton me ankth, pasiguri dhe mendime ndërhyrëse

Nga A2 CNN
26 Korrik 2026, 18:31 | Sociale

Nga Freskida Miloti

Në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë” në A2 CNN nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, sociologia dhe trajnuesja Marsi Simo ndau një analizë mbi sfidat emocionale dhe sociale me të cilat përballen sot familjet shqiptare, duke vënë theksin te prindërimi, edukimi emocional i fëmijëve dhe nevoja për një shoqëri më të ndërgjegjshme.

Sipas Simos, nuk ekzistojnë receta universale për të qenë prind i mirë, pasi çdo familje ka realitetin dhe sfidat e saj. Ajo theksoi se prindërimi është një proces i gjatë, që kërkon reflektim të vazhdueshëm dhe gatishmëri për të bërë pyetje, më shumë sesa për të kërkuar përgjigje të gatshme.

Duke u ndalur te gjendja emocionale e shqiptarëve, sociologia e përshkroi shoqërinë si një shoqëri që jeton me “mendime ndërhyrëse”, pasiguri dhe ankth për të ardhmen. Sipas saj, frika ekonomike, sociale dhe presioni për të qenë gjithmonë të suksesshëm i pengojnë njerëzit të jetojnë të tashmen dhe të gjejnë qetësi.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte perfeksionizmi dhe ndikimi i rrjeteve sociale. Marsi Simo u shpreh se kultura e krahasimit i bën njerëzit të ndihen vazhdimisht të pamjaftueshëm, ndërsa gratë dhe vajzat përballen me presione të shumta për të përmbushur standarde të pamundura. Sipas saj, edhe burrat janë gjithnjë e më shumë pjesë e këtij presioni për të përmbushur modele të caktuara shoqërore.

Në intervistë u diskutua edhe rëndësia e kufijve personalë, si një element kyç për shëndetin mendor dhe marrëdhëniet e shëndetshme. Simo shpjegoi se respektimi i kufijve duhet të mësohet që në fëmijëri dhe përfshin jo vetëm kontaktin fizik, por edhe privatësinë, kohën personale dhe të drejtën për të thënë “jo”.

Duke komentuar rastet e fundit të dhunës mes të rinjve dhe ngjarjet tragjike në shkolla, ajo tha se këto nuk janë fenomene të lindura brenda natës, por rezultat i viteve të tëra mungese koordinimi mes familjes, shkollës, institucioneve dhe komunitetit.

Marsi Simo foli gjithashtu për peticionin kombëtar që ka iniciuar për rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve në shkolla. Sipas saj, përveç investimeve në infrastrukturë, nevojitet zbatim më i fortë i rregullave, klasa me më pak nxënës, rehabilitim i fëmijëve me probleme të sjelljes dhe një bashkëpunim më i ngushtë mes prindërve dhe institucioneve arsimore.

Në përfundim të intervistës, ajo theksoi se ndryshimi fillon nga secili prej nesh, duke pranuar përgjegjësinë personale dhe duke investuar më shumë në edukimin emocional të brezit të ri. Sipas saj, vetëm një shoqëri që ndërton mirëqenie psikologjike dhe sociale mund të krijojë fëmijë më të sigurt, familje më të forta dhe një të ardhme më të shëndetshme.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos