Trajneri i kombëtares, Sylvinho, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Republikën Çeke, deklaroi se kundërshtari është shumë i fortë dhe është shumë shpejt për të bërë që tani llogaritë e kualifikimit për në Evropian.
“Është një ndeshje e rëndësishme. Kemi vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur, por nuk kemi çfarë të bëjmë. E njëjta gjë është për kundërshtarin tonë. Jam i kënaqur, në kuptimin që të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe duan të luajnë. Nesër është ndeshje e fortë, e vështirë, por shumë prej tyre janë mësuar me këto ndeshje. Nuk e kemi vendosur ende formacionin. Ne kemi nisur rrugën tonë dhe nuk mund të kthehemi mbrapa, kemi luajtur mirë dy ndeshjet e fundit. Në stërvitjen e fundit do të shohim se kush është në formë 100% dhe ai do të luajë. Duhet të kemi përqendrim maksimal, kemi përballë një ekip të fortë, me trajner të mirë dhe lojtarë të spikatur. Edhe ne kemi emra për ta përballuar këtë ndeshje”, deklaroi Sylvinho.
Kur u pyet për llogaritë e kualifikimit, Sylvinho u përgjigj: “Jemi ende në gjysmë të grupit, është shpejt për të bërë llogaritë tani. Llogaritë bëhen në nëntor”.
Ndërsa mbrojtësi Berat Djimsiti theksoi: “E dimë vlerën e kësaj ndeshjeje dhe do ta përballim presionin. Objektivi i kualifikimit do të na japë një shtysë të mëtejshme. Mendojmë vetëm për Çekinë dhe jemi të përqendruar 100% për këtë ndeshje, nuk kemi fokus te Polonia”. (A2 Televizion)