Barazimi në Çeki, Duka ul euforinë: Nuk është koha për të festuar

Nga A2 CNN
8 Shtator 2023, 09:49 | Futboll
Barazimi në Çeki, Duka ul euforinë: Nuk është koha

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka reaguar në rrjetet sociale pas barazimit që Kombëtarja arriti të marrë në Çeki, i cili e mban ende në vendin e dytë të grupit E.

Pas komplimentit për ekipin dhe stafin, kreu i FSHF shprehet se nuk është ende koha për të festuar pasi janë dhe 4 ndeshje të rëndësishme përpara për të bërë të mundur ëndrrën evropiane.

“Na duhej gjithçka na dha kjo ndeshje në Pragë. Djemtë tanë na emocionuan me lojën, rastet e krijuara, paraqitjen e tyre dinjitoze, duke përballuar peshën psikologjike që kjo finale e katërt kishte.

Nuk është koha për të festuar ende, kemi edhe katër finale në lojë. Më e rëndësishmja është sigurisht ajo e radhës ndaj Polonisë, të dielën e 10 shtatorit në stadiumin Air Albania, për të vetmen ëndërr që të gjithë ne kemi: Kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Faleminderit çunave, faleminderit Bajrami për golin, faleminderit Daku dhe Muja për debutimin tuaj në radhët e Kombëtares tonë, faleminderit Berisha për pritjet e jashtëzakonshme!

Faleminderit Mister Silvinjo! Faleminderit mijëra tifozëve që ishin sonte në stadium duke mbështetur Kombëtaren e zemrës! Ëndrra nuk mbyllet këtu. Ëndrra për Gjermani 2024 vazhdon”, shkruan Duka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos