Investimet e huaja, 686 milionë euro në ekonomi deri në qershor

Nga A2 CNN
12 Shtator 2023, 14:47 | Ekonomi
Investimet e huaja, 686 milionë euro në ekonomi deri në qershor

Trendi pozitiv i investimeve të huaja në vendin tonë ka vijuar edhe për 3-mujorin e dytë të vitit. Kompanitë e huaja injektuan në periudhën prill-qershor 379 milionë euro ose 35 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë sinjalizojnë se, edhe përgjatë këtij viti është ruajtur ecuria e investimeve të huaja në vend, ndërsa ekspertët e tregut e konsiderojnë këtë trend të pritshëm përballë bumit turistik.

 “Është një rritje që ka ecur duke marrë në konsideratë inflacionin, rritjen normale të ekonomisë. Është diçka pozitive duke marrë parasysh edhe bumin e turizmit i cili ndikon”, Mark Crawford, ish-president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro. Flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja i marrin më së pari pasuritë e paluajtshme me 20% të totalit, e më pas vijnë sektorët e hidrokarbureve, financiare dhe energjetike.

“Besoj dhe energjia është diçka që është kyç meqenëse ka interes akoma nga Kombe të NATO-s që janë të pavarura në energji dhe do ketë një influencë për të riinvestuar. Sipas fluksit të valutës europiane, kjo është një pikë pozitive për ata që kanë investuar në Shqipëri për të riinvestuar”, shtoi ai.

Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e Investimeve të Huaja direkte. Nëse ky ritëm i investimeve do të mbahet edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, do të mund të tejkalohet edhe shifra rekord prej 1.3 miliardë eurosh e vitit të shkuar.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024