
Tjetër emër i njohur i futbollit europian ka lënë kontinentin e vjetër dhe është prezantuar në Katar si lojtari i ri i Al Arabi. Mesfushori kampion i Evropës në vitin 2021 me Italinë është larguar nga Paris Saint Germain pas 11 vitesh dhe tashmë është gati të nisë një aventurë të re.
Me kampionët e Francës, Verratti fitoi 30 trofe në total, por në sezonin e fundit trajneri Luis Enrique i kishte bërë me dije se nuk është në planet e tij dhe për këtë italiani prej kohësh ishte në kërkim të një klubi të ri. Pas shumë tentativash, marrëveshja u mbyll në Lindjen e Mesme me parizienët që do të përfitojnë 45 milionë euro nga ky transferim.
Ai nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Al Arabi pasi kaloi me sukses dhe testet mjekësore. Edhe klubi parizien e falënderoi me anë të një videomesazhi futbollistin, ku i shprehte falënderimet për kontributin e tij në gjithë këto vite.
Marco Verratti mbërriti në Francë në vitin 2012, kur ishte vetëm 19 vjeç. Ai u aktivizua në 416 ndeshje në total dhe shënoi 11 gola. (A2 Televizion)