Uzuni vjen nga stoli dhe bën heroin, barazim jetik për Granadën

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 14:25 | Futboll
Uzuni vjen nga stoli dhe bën heroin, barazim jetik për Granadën

Myrto Uzuni është rikuperuar më shpejt seç pritej nga dëmtimi që e detyroi të braktiste Granadan në minutën e 37’ të sfidës së mbyllur në barazim 1-1 përballë Real Betis, javën e shkuar.

Sulmuesi beratas edhe pse e nisi nga stoli sfidën e javës së 8-të të La Liga, ku skuadra e tij luante si mike përballë Almerias, ka arritur të gjejë golin në minutën e 86’.

Bomberi kuqezi ka dërguar në portë asistin e Boye, duke i dhënë një pikë Granadas në një transfertë të vështirë, ku e pa vetën në disavantazhin e tre golave që në pjesën e parë të ndeshjes.

Luis Suarez shënoi tre herë për vendasit, duke shfrytëzuar në mënyrë perfekte asistet e Largie Ramazani, por miqtë nga Andaluzia nuk u dorëzuan duke gjetur golat me Zaragoza dhe Sanchez në të 65’ dhe 70’, e më pas rrjetën jetike të Uzunit, që u fut në fushë tre minuta pas golit të dytë nga Granada.

Ky ishte goli i tretë i Uzunit në këtë sezon të parë për 28-vjeçarin në La Liga.

Ekipi i sulmuesit shqiptar renditet në vendin e dytë nga fundi në La Liga, me po aq pikë sa kanë Las Palmas dhe Celta Vigo para tyre.

A2 CNN Livestream

Dita jonë