Çështja “Gërdeci”, Gjykata e Posaçme pranon pyetjen e të gjithë dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 14:00 | Kronikë
Çështja “Gërdeci”, Gjykata e Posaçme pranon

Gjykata e Posaçme pranon pyetjen e të gjithë dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK në procesin ndaj Fatmir Mediut, përfshirë Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin.

Në lidhje me kërkesat për prova nga avokatët mbrojtës të ish-ministrit Mediu u pranua pyetja e pjesshme e dëshmitarëve. Gjykata refuzoi pyetjen e dëshmitarëve të huaj dhe personaliteteve politikë të kërkuar nga mbrojtja.

Po ashtu, gjykata rezervoi të drejtën për t’u shprehur në lidhje me pranimin ose jo si dëshmitarë të ekspertëve që kanë kryer akt-ekspertimin e shkaqeve të shpërthimit, si edhe kryerjen e një eksperimenti hetimor mbi shkakun e shpërthimit.

Kjo hasi në kundërshtinë e avokatëve të Mediut, sipas të cilëve, gjykata duhet të shprehej në atë moment dhe jo të rezervonte të drejtën për t’u shprehur.

Avokati i ish-ministri Mediu kërkon të thirren në gjyq të gjitha subjektet. Në një deklaratë për mediat avokati Ardian Visha tha:

“Në listën e dëshmitarëve kemi një arsye madhore për të cilën i kemi thirrur këta dëshmitarë dhe duhet të na jepet e drejta për t’u thirrur të gjithë subjektet për t’u pyetur para gjykatës. Mbi aktet që gjykata vendosi të vendosë, do të duhej të kishte marrë këtë vendim sot. Arsyet përse kemi kërkuar riinspektim, gjykata do duhej të kishte një arsyetim refuzues. Këtë nuk e bëri që për ne është një moment i veçantë i një subjektivizmi i pamerituar në dëmin tonë dhe të padenjë për gjyqësorin. Gjykata është e detyruar ligjërisht të shprehet menjëherë me pranim ose rrëzim. Realizoi një gjë që ligji nuk ia lejon. Të gjithë kanë pranuar të vijnë si dëshmitarë. Roli politik i ministrit s’ka të bëjë megjithëse i atribuohet atij nga pikëpamja penale”.

Seanca e radhës, ku do të pyeten 15 dëshmitarët e parë, kryesisht familjarë të viktimave të Gërdecit, do të zhvillohet më 18 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos