Çmimi Nobel për Paqen i është dhënë, këtë vit, aktivistes iraniane për të drejtat e grave, Narges Mohammadi.
Sipas Komitetit, Mohammadit iu nda çmimi për punën që ajo ka bërë në kuadër të luftës kundër shtypjes së grave në Iran dhe për përpjekjet që ka bërë për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë.
Narges Mohammadi është po ashtu nënkryetare e Qendrës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, e cila u themelua nga kolegia e saj, laureate e Nobelit, Shirin Ebadi.
Mohammadi ka marrë disa dënime me burg që nga viti 2011 dhe aktualisht po mbahet në burgun famëkeq Evin të Teheranit për “përhapje propagande”.
Komiteti për Nobelin, pas dhënies së çmimit për aktivisten iraniane, argumentoi se “lufta e guximshme e Mohammadit ka ardhur me kosto të jashtëzakonshme personale për të. “
“Gjithsej, regjimi e ka arrestuar 13 herë, e ka dënuar pesë herë dhe e ka dënuar me 31 vjet burg”, tha Berit Reiss-Andersen, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit në Oslo.
Narges Mohammadi është “ende në burg ndërsa flasim”, shto ajo.
Çmimi i vitit të kaluar u fitua nga aktivistë të të drejtave të njeriut nga Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia, në atë që u pa si një qortim i fortë ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut dhe aleatit të tij bjellorus, Alexander Lukashenko.
Çfarë marrin fituesit e Nobelit?
Fituesi i këtij viti do të marrë çmimin prej 11 milionë Krona Suedeze, ekuivalente me gati një milion dollarë amerikanë. Një rritje prej 10% nga shuma e vitit të kaluar.
Fituesit do t’i jepet gjithashtu një certefikatë dhe një nga medaljet ikonike të arit 18 karatësh të Komitetit të Nobelit.
Pjesa e përparme e medaljes tregon profilin e themeluesit Alfred Nobel. (A2 Televizion)