Deri tani civilët kanë paguar çmimin më të lartë të luftës mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit. Mediat izraelite, duke cituar zyrtarë të ekipeve të shpëtimit, thanë se numri i të vrarëve në Izrael ka arritur në të paktën 500 persona, përfshirë 44 ushtarë.
Zyrtarët në Gaza thanë se 313 palestinezë kanë humbur jetën në konflikt, ndërsa sipas versionit zyrtar izraelit, ushtria kishte vrarë 400 militantë dhe kishte kapur dhjetëra të tjerë. Kabineti i sigurisë i Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendje lufte.
Ushtarët izraelitë vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit në rrugët e Izraelit jugor të dielën dhe ndërmorën sulme kundër-përgjigjëse që rrafshuan ndërtesa në Gaza. Në Izraelin verior një shkëmbim i shkurtër sulmesh me militantët e Hezbollahut të Libanit përshkallëzoi frikën për zgjerimin e konfliktit.
Luftimet po vazhdojnë më shumë se 24 orë pas një sulmi të pashembullt nga palestinezët, në të cilin militantët e Hamasit, të mbështetur nga mijëra raketa, depërtuan përmes barrierës së sigurisë së Izraelit.
Ata morën robër të cilët i dërguan në Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët do të përpiqen t’i shkëmbejnë me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.
Numri i lartë i vdekjeve, të burgosurit e shumtë dhe një reagim i ngadaltë ndaj sulmit treguan për një dështim të madh të inteligjencës dhe lëkundën përshtypjen e mbajtur prej kohësh se Izraeli ka sy dhe veshë kudo në Gaza, territorin e vogël dhe me popullsi të dendur që e ka kontrolluar për dekada. (A2 Televizion)