“Pesëshja e fuqishme”, është termi që media serbe “Novosti” përdor për të treguar se një delegacion i përbërë nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar nga SHBA-ja dhe emisarët e liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë do të vizitojnë Beogradin brenda muajit tetor.
Media serbe zbulon se vizita e delegacionit SHBA-BE, do të shtojë presionin mbi Aleksandër Vuçic, duke i kërkuar presidentit serb që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, si dhe të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, të cilën nuk e ka nënshkruar.
Lavjerrësi europian që tregon fajtorin pas sulmit të armatosur të grupit paramilitar serb ndaj policisë së Kosovës në Veri drejtohet nga Serbia dhe pritet që pesëshja e lartpërmendur ta shfrytëzojë ngjarjen e rëndë të Banjskës për të detyruar Vuçiçin që të “bashkëpunojë”.
Turi i ri i delegacionit të BE-SHBA është planifikuar pas ngjarjeve në manastirin e Banjskës, me Serbinë që pritet t’i “tërhiqet veshi” nga perëndimorët, pasi doli hapur si agresore në Veri.
Për ngjarjet në fjalë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë si financuese dhe dirigjente të sulmit, duke kërkuar që Beogradi të sanksionohet ndërkombëtarisht.
“Sulmi terrorist në Banjskë kërcënoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, është shprehur ai. (A2 Televizion)